Entela Hysko

Si rrallë ndonjëherë një debat i mohuar për t’u realizuar në dritaret mediatike televizive, për shumë arsye, është spostuar në disa rrjete online interneti ku bashkëbisedues të ndryshëm, prej më shumë se katër ditësh, përqëndrohen tek censura në media e humbjes së jetës së Entela Hyskos, në aksidentin tragjik të gjashtë ditëve më parë, ku humbi jetën edhe presidenti i “Top Media”-s, Dritan Hoxha.

Ndoshta si rrallë ndonjëherë në këto biseda interneti nuk ka debat, por ka vetëm një palë të rinj dhe të reja që thuajse në unison, denoncojnë hipokrizinë e atyre që donin të fshihnin humbjen e jetës së 28-vjeçares dhe nga ana tjetër bërtasin me deklarata të çjerra qaramane, dhe të përmjera në emër të lirisë së medias, e shndërruar prej tyre në një autocensurë të neveritshme, ku për hir të interesave të momentit dhe të xhepit mohohet deri edhe jeta njerëzore, mohohet edhe ajo që është më sublime.

Mjafton të shikosh sado pak nivelin e këtyre bisedave internetore, për të kuptuar distancën e madhe qytetare, kulturore dhe njerëzore mes debatuesve të tyre dhe deklaratës të tipit të kooperativave bujqësore të një shumësie njerëzish që mendojnë se duke mbledhur sa më shumë firma rrogëtarësh në këtë fund 15 ditëshi, mund të besojnë se e drejta është në anën e tyre. Ka një distancë të madhe sot mes elementëve të qytetarisë së këtij vendi dhe hartuesve të asaj deklarate të turpshme të dy ditëve më parë, që u ngjante atyre kooperativistëve që identitetin e tyre e njehsonin me kuintalët e preshit që kishin mbledhur në fund të ditës, gjatë punës në kooperativën bujqësore. Ky kontigjent po rrezikon të na kthejë shumë vite pas, atëherë kur emri nuk ishte vlerë, por thjesht një numër. E vështirë të kujtohet se kush ishte i 5-ti në atë listë, por dihet që ishte dikush, sikurse dikush që nuk identifikohej me emrin e tij, por me numrin 60, 70, 77 apo 107. Bolshevizmi mbi menshevizmi – ky është mesazhi qesharak që kërkohej të përçohej mes shumësisë së shumë numrave, që të gjithë së bashku nuk bëjnë asnjë.

Nga zëri i atyre bisedave internetore kuptohet qartë se shoqëria jonë, pavarësisht njerëzve-numra, është një shoqëri vlerash. Është një shoqëri vlerash, e cila kodin e saj moral e bazon tek ligjet universale njerëzore dhe jo tek ligjet apo raportet punëdhës-punëmarrës. Mjafton të lexosh këto biseda internetore, për të kuptuar se pavarësisht se 28-vjeçares Entela Hysko që humbi jetën në aksidentin tragjik iu mohua edhe e drejta për një homazh njerëzor dhe civil nga kolegët e saj të punës, atë homazh ajo po e merr çdo ditë nga qindra e mijëra njerëz që, përmes këtyre bisedave internetore, solidarizohen me familjen e saj në këtë dhimbje.

Familja e saj e ka dëgjuar këtë zë, ndonëse me vonesë. E ka dëgjuar përmes publikimit në ato media që qëndrojnë jashtë rrethit të monopoleve mediatike dhe që janë më pranë njerëzve. E ëma e Entelës, Nazimeja, na falenderoi nga zemra kur tre ditë më parë i dërguam asaj gazetën ku ishte botuar fotoja e Entela Hyskos. “Më në fund, dikush u kujtua”, u shpreh ajo. Ndërsa përmes lotëve na tha se shumë të afërm e qytetarë i dërgonin mesazhet e tyre përmes telefonit. “Si kanë reaguar njerëzit? Ja e marrin gazetën e puthin foton e Entelës dhe na marrin në telefon për të na ngushëlluar”, shprehet ajo. Në këtë dhimbje ka një ngushëllim pasi e gjithë shoqëria, me përjashtin të njerëzve-numra, është pranë tyre në këtë dhimbje.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: